Tre Muskëtjerët

15 Maj 2017

Koncerti i 15 majit 2017 ngjiti në skenë “Tre Muskëtjerët”, ata që kanë bërë revolucion të vërtetë në muzikën shqiptare. Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi u bënë bashkë për të risjellë dhe njëherë në mendje adrenalinën e viteve ’80 – ’90 dhe për t’i kujtuar publikut shqiptar se çfarë do të thotë art i pastër. Pavarësisht se kanë kaluar vite nga publikimi i atyre këngëve, publiku mund të rikujtonte çdo frazë, duke qenë se janë të gjitha hite që nuk do të shuhen kurrë.

Mendohej se salla do të mbushej me nostalgjikët e atyre viteve, por në fakt në çdo rresht të saj gjendeshin disa të rinj që kërkonin të mbushnin shpirtin me muzikë të vërtetë. Këngët e “Tre Muskëtjerëve” janë universale dhe këtë mund ta vërtetonte më së miri zëri i publikut që u bë njësh me atë të këngëtarëve. Normalisht që kur salla u mbush me tingujt e “Zemra e një gruaje”, “Qyteti i vjetër”, “Zilja ra”, “Ditë dimri” e shumë të tjera, nuk kishte se si publiku të qëndronte ulur në karrige si spektator i thjeshtë.

Vetë energjia që Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi përcollën bëri që e gjithë ajo mbrëmje të shndërrohej në një eksperiencë magjike. Të gjithë që kanë qenë të pranishëm do ta mbajnë mend gjatë, sepse artistët e vërtetë dinë si të dhurojnë spektakël. Në fakt kur bëhet fjalë për “Tre Muskëtjerë”, për tre pionierë të rock-ut shqiptar sigurisht që nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Aleksandër Gjoka ndër të parët që solli frymën e rock’n’roll, në një kohë kur shqiptarët as që nuk e imagjinonin se jashtë mureve të izolimit totalitarist ekzistonin të tilla rryma muzikore.

Elton Deda gjithmonë ka sjellë risi, i pari që ka krijuar konceptin e një grupi të mirëfilltë në muzikën shqiptare me “Tingullin e Zjarrtë” apo “Aneroid”. Kurse Redon Makashi përveçse si një figurë rock-u, është njohur që në fillim të viteve ’90 për stilin e tij të veçantë, të krahasueshëm me atë të këngëtarëve botërorë.

Galeri