Reflektim

15 Nëntor 2018

Pas 17 vitesh karriere muzikore, këngëtarja Anxhela Peristeri vendosi që të realizojë recitalin e saj të parë "Reflektim". I konceptuar si 4 stinët e vitit, repertori muzikor i Anxhelës nisi me këngën "Ishe mbret" e cila ende në ditët e sotme, klasifikohet si një nga hitet më të bukura të saj.

U zgjodh enkas "Qendra Kulturore tek Katedralja Orthodokse" për t`i qëndruar besnik natyrës së këngëve të Peristerit: intime, të ndjera, njerëzore. Këngët e saj transmetojnë njëherazi shpresë, emocion, vuajtje, dashuri të humbura e të përjetshme, një dualitet mes mendjes dhe zemrës, ndjesi personale ku çdokush gjen veten dhe forcë për të ecur përpara.

Kjo është arsyeja që nata e 15 Nëntorit pati një jehonë mediatike si kurrë më parë, me foto dhe video të postuara në llogaritë personale të rrjeteve sociale të shumë artistëve dhe publikut që mbushën në çdo cep, sallën e koncertit.

Dy të ftuarit specialë, Elhaida Dani dhe Sezgin Curi i grupit Offchestra nga Kosova, i dhanë një tjetër frymëmarrje këtij koncerti. Elhaida e sapokthyer nga një turne i suksesshëm në Kanada këndoi në skenë bashkë me Anxhelën "Prapë do t`i lutem" duke realizuar në këtë mënyre "duetin" e parë të Peristerit me një femër.

Sezgini elektrizoi sallën me energjinë e tij. Kënga "Femër mediatike" e risjellë në versionin karakteristik të natyrës së këtij grupi, i bëri të gjithë për vete. Dhe në fakt kjo u reflektua!

Një nga pikat e forta të Anxhelës në koncert ishte komunikimi me publikun. "Bye, bye", "S`ka si ne", "Kush na ka zili" e bëri Anxhelën njësh me audiencën në sallë, duke kërcyer dhe kënduar të gjithë bashkë në të njëjtën kohë.

Baladat "E çmendur", "Si po jetoj" rrënqethën të gjithë publikun nga interpretimi LIVE dhe i fuqishëm i Anxhelës, vokali i së cilës përshkroi menjëherë zemrat e të gjithëve. Ndaj dhe publiku e do, identifikon dhe pëlqen sepse ajo është Anxhela e VëRTETë!

"Reflektim" la pas një shije aq të mirë, sa shumica nuk e kuptoi që koncerti përfundoi. Ata e kërkuan sërish Anxhelën në sallë për të dëgjuar Akapela këngën e parë (Ishe mbret) që i shtroi rrugën Anxhelës në muzikë! Ai ishte një sinjal, i fortë madje, që koncerti të shëtisë edhe në trojet shqiptare, projekt të cilin Anxhela Peristeri & "Connext" e kanë vënë në high priority.

Galeri