Hapësira e një ëndrre

2-3-4 Mars 2018

“Hapësira e një ëndrre” ishte e para ëndërr e realizuar, që 15 vite më parë e bëri Alban Skënderajn pjesë të muzikës shqiptare. Megjithatë një pjesë e madhe e publikut më së shumti e kujton në daljen e parë të ‘Top Fest’ me “Vetëm ty”, këngë me të cilën përveçse fitoi zemrat e të gjithë fansave, rrëmbeu dhe një çmim të parë. Sa shumë ëndrra do të pasonin me radhë, prandaj ia vlente që pas kaq vitesh të realizohej një koncert që përmblidhte të gjithë pasurinë artistike të Albanit.

Madje aq shumë i dëshiruar ishte koncerti “Hapësira e një ëndrre”, sa brenda një ore arritën të shiteshin të gjitha biletat dhe të shtoheshin dhe dy netë të tjera live. Pavarësisht se çdo këngë ishte sjellë në një version të ri, me ndihmën e orkestrës simfonike të RTSH-së, publiku arriti që thjesht nga fraza e parë të kuptonte se për cilën bëhej fjalë. Aq më tepër që këngët e Albanit janë të thjeshta, sepse duket sikur të lexojnë çdo emocion që mban brenda shpirti. Ka shumë artistë që gjejnë justifikimin të thonë se sot nuk ka publik për të dëgjuar muzikë të vërtetë, por Albani vërtetoi të kundërtën.

Për 15 vite karrierë nuk ka pranuar të bëjë kompromise për muzikë komerciale dhe megjithatë salla e Pallatit të Koncerteve u mbush plot dhe buçiste nga zërat e gjithë dashamirësëve të muzikës së mirë. Sigurisht që surpriza më e ëmbël e koncertit do të mbetet ngjitja në skenë e Albanit me dashurinë e tij të përjetshme, Miriam Canin.

Përveçse krijojnë çiftin perfekt, u duk se kur dy zërat e tyre u bashkuan në sallë u përcoll gjithë energjia pozitive. Të gjithë tingujt e dalë nga shpirti arritën të ngrinin publikun peshë e ta çonin lart si në ëndërr drejt hapsirës së pafundme. Në koncert nuk kishte rëndësi nëse ishe i madh apo i vogël, sepse Alban Skënderaj di si të pushtojë zemrat e të gjithëve. Pas të trija netëve të gjithë ranë dakord njëzëri se të tilla koncerte duhet të përsëriten herë pas here.

Galeri