Diva Show

16 Maj 2018

Katër femra, katër artiste, katër zëra fantastikë, katër yje të skenës shqiptare që u bënë bashkë për ‘DIVA Show’. Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa dhe Besa Kokëdhima u ngjitën në skenë për t’i rikthyer publikut emocionet e papërshkrueshme të këngëve më të bukura ndër vite. Kombinimi perfekt i katër zërave potent, ishte e sigurt që do të mbushte sallën e Pallatit të Koncerteve.

Ashtu siç të gjithë e kishin imagjinuar spektakli ishte i garantuar, sepse ‘DIVAT’ nuk zhgënjejnë asnjëherë. Ato kanë vite që zotërojnë skenën, edhe mbrëmjen e koncertit artistet bënë që publiku të mbante frymën deri në këngën e fundit. Gjithkush gjente veten në një këngë ose tjetrën dhe prandaj entuziazmi dhe energjia ishte e njëjtë gjatë gjithë koncertit. Nuk mund të veçosh një pikë kulmore, sepse Irma, Rovena, Eneda dhe Besa për orë me radhë përçuan çdo tingull të shpirtit tek publiku.

Hitet që këngëtaret risollën, rikujtuan koncertet madhështore të kohëve të mëparshme dhe ato modernë të ditëve të sotme. Me publikun që këndonte njëzëri çdo këngë, tregonte qartazi se ata që krijojnë emër dhe stil gjithmonë do të kenë një vend të veçantë në plejadën e artistëve të shquar. Për më tepër që në koncert përveç këngëtareve, një meritë të veçantë kishte edhe Orkestra Simfonike nën drejtimin e një tjetër artisti të njohur si Elton Deda. Çdo këngë ishte e kuruar me detaj, që të gjithë të merrnin të njëjtin emocion si në ditën e parë që i kanë dëgjuar.

Pa muzikë me volum të lartë ashtu siç jem mësuar të dëgjojmë më së shumti sot, ‘DIVAT’ bënë që e gjithë salla të ngrihej dhe të kërcente, qoftë edhe një vallëzim të thjeshtë të mbushur me dashuri. Tashmë nuk ka asnjë dyshim, sa herë që të mblidhen bashkë këto katër artiste, kënga do të buçasë në çdo zemër shqiptare.

Galeri